Siri, forcat proqeveritare nisin sulmet tokësore ndaj rebelëve në Aleppo

27/09/2016 00:00

Forcat qeveritare siriane dhe aleatët e tyre kanë sulmuar një periferi të Aleppos të kontrolluar prej rebelëve nga disa fronte gjatë kësaj të marte, duke shënuar kështu sulmin tokësor më të madh të fushatës së re ushtarake pas shfuqizimit të armëpushimit të mbështetur edhe nga SHBA-të.

Shtetet e Bashkuara reaguan menjëherë, duke thënë se sulmi në Aleppo është prova se Bashar al-Assad dhe aleatët e tij rusë dhe rajonalë kanë braktisur procesin ndërkombëtar për paqe, për të siguruar në këtë mënyrë fitoren në fushëbetejë pas afro 6 vitesh lufte civile.

Uashingtoni, që ra dakord me Rusinë më herët gjatë këtij muaji për një armëpushim që përfundoi pas vetëm një jave në fuqi, tha se Moska dhe Damasku janë fajtorë për “barbarizma” dhe “krime lufte”, për shkak se kanë shënjestruar civilët, punonjësit e shëndetësisë dhe dërgesat e ndihmave përmes sulmeve ajrore.

Më shumë se 250 mijë civilë besohet të jenë bllokuar brenda periferië së Aleppos të kontrolluar nga rebelët, aty ku bombardimet intensive gjatë javës së kaluar lanë të vdekur me qindra njerëz, shumica e të cilëve të bllokuar nën rrënojat e shkaktuar nga bombat e afta për të goditur edhe bunkerët.

Vetëm 30 mjekë kanë mbetur jashtë në terren, të cilët janë të detyruar të ofrojnë ndihmën e shpejtë për qindra të plagosur çdo ditë. Të plagosur që, siç thuhet nga dëshmitarë, janë duke marrë mjekimet nëpër dyshemetë e spitaleve në mungesë të plotë të pajisjeve të nevojshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri thirrje për “vendosjen e menjëhershme të rrugëve për ndihma humanitare, në mënyrë që të evakuohen edhe të sëmurët apo të plagosurit” nga zonat e rrethuara të pjesës lindore të qytetit.

Sulmi i së martës ishte një përpjekje e forcave proqeveritare, ku përfshihen ushtria siriane dhe milicitë aleate nga Irani, Iraku dhe Libani, për të pushtuar “Qytetin e Vjetër” të Aleppos, pranë kalasë së saj historike, sikurse edhe në disa pika kyçe përreth qytetit.

Trupat ushtarakë që vijnë nga fshatrat kanë avancuar drejt veriut dhe jugut të qytetit, thonë rebelët, duke shkaktuar përplasje të ashpra mes tyre. Ushtria dhe Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup monitorues me seli në Londër, bënë të ditur se forcat pro Assadit kanë arritur disa fitore në terren, por kjo hidhet poshtë nga rebelët, të cilët thonë se i kanë sfumuar sulmet e tyre.

Aleppo, që ka qenë dikur – përpara fillimit të luftës civile, – qyteti më i madh i Sirisë, tashmë e sheh veten të ndarë mes zonës perëndimore të kontrolluar prej ushtrisë dhe një pjese disi më të vogël në lindje, të kontrolluar prej rebelëve. Shuarja e kryengritjes në këtë qytet do t’i jepte Assadit fitoren e parë madhore në këto 6 vite, si dhe do t’u jepte një goditje të rëndë armiqve të tij.

Top Channel