Aleppo, armëpushimi rikthen shpresën

15/09/2016 00:00

Qielli mbi Aleppo tani është pastruar nga avionët bombardues dhe nuk ka shtëllunga tymi. Qe pas vënies në fuqi të armëpushimit të Sirisë, i dakordësuar nga Rusia dhe SHBA, tashmë edhe fëmijët e Sirisë po shijojnë lirinë e munguar.

Në një nga lagjet e qytetit sirian, tani dëgjohen zërat e fëmijëve që luajnë, duke zëvendësuar kështu zhurmat e mëdha të frikshme të bombave.
“Nuk kemi parë gjak sot. Ajo që kemi parë janë fëmijët tanë që luajnë vërdallë zonës”, tha një vendas.

Ndërkohë që fëmijët argëtohen në parqet gjysmë të shkatërruara, prindërit e tyre kërkojnë të gjejnë mundësinë për të mbijetuar dhe për të marrë ndihmat e premtuara.

“Unë nuk kam përfituar gjë nga armëpushimi, përveçse na është rikthyer qetësia, asgjë tjetër. Aleppo është i pajetueshëm si vend, nuk ka perime, fruta e dyqanet janë zbrazur”, u shpreh një tjetër.

Rruga që lidh Aleppon lindore me Turqinë, vijon të jetë e militarizuar. Pakti i ndërmjetësuar midis SHBA dhe Rusisë kërkon që kjo rrugë të kthehet në korridor humanitar për dërgesën e ndihmave për banorët e qytetit.

Në Aleppo ndihet prezenca e rritur ushtarake e Rusisë dhe SHBA të cilët monitorojnë situatën e paktit të paqes.

Top Channel