Trump, vizitë në “syrin e ciklonit”. Do të takohet me presidentin meksikan

31/08/2016 00:00

Meksika ka qenë vazhdimisht në shënjestër të tij gjatë fushatës, por Donald Trump edhe një herë dëshmon se është i paparashikueshëm. Manjati i pasurive të patundshme ka vendosur të zhvillojë një vizitë të shkurtër në vendin fqinj, ku do të shtrëngojë duart me presidentin Enrique Pena Nieto.

Vizita vjen me ftesë të këtij të fundit, i cili të njëjtën gjë ka bërë edhe me kandidaten demokrate në Presidencialet e nëntorit, Hillary Clinton. Trumpi shkroi në “Twitter” se po e pret takimin me padurim, ndërsa Pena Nieto theksoi se dialogu do të ndihmojnë në mbrojtjen e meksikanëve, “kudo që ata të jenë”.

Miliarderi njujorkez i ka fshikulluar ashpër emigrantët meksikanë në komentet e tij. Deklarata se do të ngrejë një mur mes dy vendeve, nëse merr çelësat e Shtëpisë së Bardhë, shkaktoi një valë të menjëhershme kritikash dhe indinjatë.

Që prej konventave partiake të muajit të kaluar, sondazhet e opinionit tregojnë një rënie të mbështetjes për republikanët. Si në nivel kombëtar, ashtu edhe në shtetet kyçe, për sa i takon zgjedhjeve Trump renditet pas Hillary Clintonit, që gëzon përkrahje të madhe sidomos në radhët e minoriteteve.

Vizita e tij në Meksikë është një lëvizje e guximshme, që tregon vullnetin për t’u përballur me një komb, të cilin e ka vënë në lojë. Edhe pse takimi me presidentin meksikan mendohet se do të jetë mjaft i kontrolluar, ekziston gjithmonë rreziku që Trumpi të thotë apo bëjë diçka polemizuese.

Nga ana tjetër, njerëzit që e mbështetën kur i quajti përdhunues e trafikantë droge emigrantët meksikanë, mund ta shohin këtë ndalesë si afrim me armikun. Ndërkohë, edhe Pena Nieto nuk e ka lënë më parë pa thumbuar kandidatin republikan, të cilin e ka akuzuar për dëmtim të marrëdhënieve amerikano-meksikane, ndërsa retorikat e republikanit i ka krahasuar me ato të udhëheqësit nazist, Adolf Hitler.

Top Channel