Sulmi në Turqi, fëmija kamikaz i pajisur me bombë artizanale

22/08/2016 00:00

Hetimet në Turqi kanë sjellë detaje të reja mbi shpërthimin në një dasmë në krahinën juglindore të Gaziantep mbrëmjen e së shtunës.

Kamikazi, i cili ishte i moshës nga 12-14 vjeç ishte i pajisur me bombë artizanale për të forcuar efektin e sulmit dhe shumica e vdekjeve kanë ndodhur për shkak se njerëzit janë goditur nga zare mermeri që ndodheshin brenda në të.

Nga 54 viktima, 29 ishin fëmijë. Emine Ayhan humbi katër nga fëmijët e saj në dasmën fatkeqe. “Nëse nuk do të kisha gjallë fëmijën e vetëm që mbijetoi, atëherë do të kisha vrarë veten”, rrëfeu nëna e dëshpëruar.

Mekanizmi i bombës ishte e njëjtë si ato të përdorura në sulmin e 10 tetorit në vitin 2015 në Turqi, ku të paktën 140 vetë humbën jetën. Policia po heton gjithashtu Deniz Buyukçelebi, i cili mendohet se dha urdhrin për të organizuar sulmin.

Ai njihet si militanti “përgjegjës” i ISIS për të gjitha sulmet e grupit në kufirin turko-sirian. Por, autoritet i shqetëson fakti i rritjes në numër të fëmijëve kamikazë, të cilët pasi i nënshtrohen një “lavazhi të trurit” marrin urdhra për t’u vetëhedhur në erë.

Ditën e diel, policia në Kirkuk të Irakut arriti të ndalonte një fëmijë kamikaz përpara se të shpërthente  brezin me eksploziv.

Najmaldin Karim, guvernatori i Kirkuku-t tha se, “militantët i gënjejnë fëmijët duke i thënë se do të shkojnë në parajsë dhe aty do të marrin gjithçka që duan. Kjo është taktika për t’i kthyer në kamikazë”, e mbylli guvernatori.

Top Channel