Shpëtimi i BE-së. Takohen Merkel, Hollande dhe Renzi

22/08/2016 00:00

Përpjekjet për ruajtjen e projektit të Bashkimit Europian mbledhin sot në ishullin e vogël italian të Ventotenes kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez François Hollande dhe kryeministrin italian Matteo Renzi.

Ky është raundi i dytë i bisedimeve mes udhëheqësve të tre ekonomive më të mëdha të grupit, që pas rezultatit shokues të referendumit të Britanisë për largimin nga blloku. Por, burime diplomatike franceze u kujdesën të sqaronin paraprakisht se qëllimi i takimit është të dëshmohet uniteti i tre vendeve më të mëdha të Europës e jo të krijohet një klub i veçantë. Bisedimet do t’i shërbejnë përgatitjes së samitit joformal të Bratisllavës, ku pritet të përvijohet kursi post-Brexit i bllokut europian.

Renzi nuk e përzgjodhi rastësisht Ventotenen për shtrëngimin e duarve me dy liderët kryesorë të Bashkimit Europian. Ishulli, sipas qeverisë italiane, ka pjesën e tij në themelimin e BE-së. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty u burgosën dy intelektualë italianë, Ernesto Rossi dhe Altiero Spinelli, të cilët shkruan manifestin Ventotene, ku bëhej thirrje për një federatë të shteteve europiane.

Jehona e referendumit britanik vazhdon të mbetet e fortë, e tani zyrtarët e Brukselit druhen se ai mund të pasohet nga një votë e ngjashme popullore për largimin nga blloku në njërin prej vendeve themeluese të tij, Holanda. Analistët mendojnë se përballë rrezikut të ekzistencës, kancelarja gjermane Merkel synon forcimin e BE-së në formën aktuale e jo zgjerimin me anëtarë të rinj. Renzi pretendon që Italia të ketë një rol më të rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të bllokut në të ardhmen, ndërsa Hollande kërkon dyfishimin e planit të investimeve të BE-së.

Top Channel