Rrëzimi i avioni luftarak ‘Phantom’ në Greqi gjatë shfaqjes ajrore në Tanagra, humbin jetën dy pilotët

05/09/2026 17:55

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Forcat Ajrore greke, pasi një avion luftarak F-4 Phantom është rrëzuar pasditen e sotme në Tanagra, gjatë zhvillimit të shfaqjes ajrore “Athens Flying Week”.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën të dy pilotët që ndodheshin në bordin e avionit, shkruajnë mediat greke.

Dy oficerët i përkisnin Krahut të 117-të të Luftëtarëve në Andravida. Sipas informacioneve paraprake, ekuipazhi nuk ka pasur kohë të aktivizojë sistemet e nxjerrjes nga avioni përpara rrëzimit.

Aksidenti ndodhi rreth orës 15:00, ndërsa avioni dyvendësh po merrte pjesë në aktivitetin ajror në Tanagra.

Menjëherë pas rrëzimit, në zonë shpërtheu një zjarr, ndërsa në vendngjarje mbërritën dy ambulanca dhe dy motorë të shërbimit të urgjencës EKAB.

Pas njoftimit për aksidentin, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ndërpreu programin e tij në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut dhe u nis drejt Athinës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rrëzimit.

Deri në këtë fazë nuk ka të dhëna të konfirmuara se sistemi i nxjerrjes së ekuipazhit është aktivizuar para përplasjes.

Ekipet kompetente ndodhen në vendngjarje për të mbledhur provat dhe për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit.

Top Channel