Siri, UNICEF ngre alarmin: Fëmijët, në rrezik serioz nga mungesa e ujit

09/08/2016 00:00

Fëmijët e bllokuar në qytetin sirian të Aleppos janë të predispozuar ndaj një “rreziku tepër të madh” të epidemive, nëse nuk do të riparohet në mënyrë të menjëhershme furnizimi me ujë të pijshëm. Alarmi lëshohet nga agjencia e Kombeve të Bashkuara e specializuar për mbrojtjen e fëmijëve.

UNICEF bën të ditur gjithashtu se është tepër e nevojshme një ndalje e menjëhershme e luftimeve, në mënyrë që të lejohet riparimi i sistemeve të ujësjellësave dhe energjetikës. Rreth dy milionë banorë janë në mungesë të plotë të furnizimeve bazike për jetën, shton më tej OKB.

Luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve janë përshkallëzuar gjatë javëve të fundit. Të paktën 250 mijë njerëz besohen të jenë bllokuar në zonat e kontrolluara prej rebelëve në Aleppon lindore, që kur rruga kryesore në këtë zonë është mbyllur prej forcave qeveritare në fillim të korrikut.

Të dielën, rebelët arritën t’u ndërprisnin rrugën kryesore drejt Aleppos perëndimore forcave qeveritare. E megjithatë, prej fundjavës, ata kanë rënë prè e bombardimeve intensive nga ushtria besnike e presidentit Bashar al-Assad.

UNICEF, nga ana e saj, ka bërë të ditur se i gjithë qyteti është pa furnizim me ujë që prej 4 ditësh. “Fëmijë dhe familje të tëra në Aleppo po përballen me një situatë katastrofike”, tha Hanaa Singer, përfaqësuese e UNICEF-it në Siri. “Këto ndërprerje po vijnë në mes të valës së të nxehtit, duke i vendosur fëmijët nën rrezikun e madh të sëmundjeve për shkak të mungesës së hidratimit. Jetët e fëmijëve janë në rrezik serioz, ndaj nuk mund të pritet derisa të ndalen luftimet për të siguruar sërish furnizim me ujë të pijshëm. Duhet bërë urgjent”.

Temperaturat kanë kapur nivelet e 40 gradëve në Aleppo gjatë kësaj jave. Kombet e Bashkuara u bënë jehonë shqetësimeve të UNICEF-it, si dhe thanë se vetëm një armëpushim i gjithanshëm, apo një ndërprerje me synime humanitare prej 48 orësh çdo javë, mund t’i sigurojë të bllokuarit të kenë akses në gjërat më të domosdoshme dhe jetike, përfshi këtu furnizimet e pakta me ushqime dhe barna.

Top Channel