Shën Pjetërburg, Putin i ofron Erdoganit marrëdhënie më të ngushta dypalëshe

09/08/2016 00:00

Rusia është gati të rivendosë bashkëpunimin ekonomik, por edhe lidhjet e tjera me Turqinë. Kështu është shprehur presidenti Vladimir Putin në takimin me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilin e priti në një vizitë zyrtare në Shën Pjetërburg.

Kjo është vizita e parë e jashtme e Erdoganit, që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti të muajit të kaluar.

Erdogan falënderoi Putinin, duke thënë se “telefonata e tij menjëherë pas tentativës për grusht shteti, ishte e mirëpritur”. Marrëdhëniet ruso-turke u përkeqësuan prej nëntorit të kaluar, kur Turqia rrëzoi një avion bombardues rus mbi hapësirën ajrore të Sirisë.

Vizita vjen në një kohë kur marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin janë ftohur për shkak të kritikave ndaj spastrimeve të urdhëruara nga Erdogan ndaj atyre që konsiderohen si komplotues të “puçit”.

Përpara se të nisej nga Turqia, Erdogan iu referua presidentit Putin si “shoku” i tij dhe tha se dëshironte të hapte një faqe të re në marrëdhëniet me Rusinë.

“Kjo vizitë më duket si një moment i ri historik në marrëdhëniet tona dypalëshe, duke nisur nga propozimet e pastra”, tha Erdogan për agjencinë ruse të lajmeve “Tass”.

Putin, nga ana e tij, tha se bisedimet duhet të mbulojnë “të gjithë sferën e marrëdhënieve tona, përfshi rivendosjen e lidhjeve ekonomike, e deri te lufta ndaj terrorizmit”.

Pas rrëzimit të avionit “Su-24”, Rusia vendosi sanksione ekonomike dhe pezulloi të gjitha paketat turistike ruse drejt Turqisë.

Në qershor, Kremlini njoftoi se Erdogani kishte kërkuar falje për rrëzimin e avionit, dhe se kishte dërguar një mesazh ku shprehte “simpatinë dhe ngushëllimet e thella” për familjen e pilotit të vrarë. Ndërkohë, pas përpjekjes për grusht shteti të 15 korrikut në Turqi, Putin shprehu mbështetjen Erdoganit. Ai nuk ka kritikuar spastrimet e ndërmarra ndaj kundërshtarëve politikë, si dhe spastrimin e “komplotuesve” nga institucionet shtetërore.

Marrëdhëniet e Turqisë me aleatët e saj tradicionalë të NATO-s, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, janë tendosur së fundi për shkak të mosmarrëveshjeve mbi luftën civile në Siri. Prioritet i turqve mbetet dobësimi i forcave të separatistëve kurdë, ndërsa SHBA-të janë të fokusuara te shkatërrimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Erdogan është irrituar së tepërmi nga kritikat e ardhura prej BE-së dhe SHBA-ve mbi arrestimet masive të të dyshuarve si komplotues. Ai i ka kërkuar SHBA-ve të ekstradojnë klerikun mysliman Fethullah Gulen, të cilin e akuzon si organizator të grushtit të shtetit. Por Amerika nga ana e saj ka thënë se Turqia duhet të japë prova të qëndrueshme, përpara se një lëvizje e tillë të merret në konsideratë.

Sipas ministrit turk të Drejtësisë, Bekir Bozdag, më shumë se 26 mijë njerëz janë paraburgosur që prej 15 korrikut.

Top Channel