Bullgari, arrestohet i dyshuari xhihadist për lidhje me “Charlie Hebdo”. Info nga e motra

09/08/2016 00:00

Arrestimi në Bullgari i një shtetasi francez, i cili dyshohet të ketë lidhje me sulmin terrorist ndaj gazetës satirike “Charlie Hebdo” në Paris, erdhi pas informacioneve të motrës së tij.

Mandatarresti i lëshuar nga një gjykatë franceze për Mourad Hamyd ka qenë i bazuar mbi raportin e motrës së tij, Khadija, dhënë policisë, ku thuhej se vëllai i saj kishte udhëtuar me një tren përmes Hungarisë dhe Serbisë për të përfunduar në Bullgari, edhe pse ai i kishte thënë asaj se do të shkonte në Marok.

“Ky rrugëtim korrespondon me itinerarin e zgjedhur zakonisht nga vullnetarët xhihadistë që duan t’i bashkohen grupit të Shtetit Islamik në Siri apo Irak”, thuhet në urdhërarrestin që u bë publik nga “Associated Press” këtë të martë.

Hamyd, i cili është burgosur në Bullgari që prej 29 korrikut, është kunati i një prej terroristëve që sulmuan “Charlie Hebdo” në janar të vitit 2015. Fillimisht ai u dyshua të ketë pasur rol në sulmin ndaj gazetës satirike, por shokët e tij të shkollës së mesme nisën një fushatë të suksesshme në rrjetet sociale për të pastruar emrin e tij, duke thënë se ai ndodhej në klasë në atë kohë.

“Jam një student që jeton paqësisht me prindërit e tij”, është shprehur ai në atë kohë. Tashmë, një gjykatë në Sofie të Bullgarisë do të zhvillojë një seancë dëgjimore të mërkurën, për të hedhur dritë mbi mandatarrestin europian të lëshuar ndaj tij.

Një avokat i emëruar nga gjykata tha gjatë ditës së sotme se, Hamyd dëshiron të rikthehet në Francë dhe se seanca dëgjimore në gjykatën bullgare është një procedurë standarde ligjore.

“Ekstradimi i tij duhet të ekzekutohet brenda një jave. Ai mund të apelojë vendimin brenda 3 ditëve, por ai është shprehur se nuk ka ndërmend ta bëjë diçka të tillë”, tha Dragomir Alexandrov për “Associated Press”.

Hamyd hyri në Bullgari nga Serbia më 26 korrik, duke u shprehur se kjo vizitë njëjavore bëhej për arsye turistike në vendin ballkanas. Ai ka urdhëtuar i vetëm dhe kishte vetëm një valixhe personale.

Rumyana Arnaudova, një zëdhënëse e kryeprokurorit të Bullgarisë tha se autoritetet vendase kishin marrë informacione përmes kanaleve ndërkombëtare, sipas të cilave Hamyd ishte një “luftëtar i ISIS” në udhëtim e sipër dhe se konsiderohej si “tepër i rrezikshëm”.

Top Channel