Turqi, Erdogan kërkon rikthimin e dënimit kapital

08/08/2016 08:10

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan deklaroi para një turme masive gjatë një mitingu në Stamboll se do ta miratonte dënimin me vdekje nëse ky mbështetet nga Parlamenti dhe publiku.

Ai foli para një turme prej më shumë se 1 milion njerëzish të mbledhur në qytetin më të madh turk, duke risjellë në qendër të vëmendjes dënimin kapital, për të cilin u kritikua nga e gjithë Evropa. Erdogani gjithashtu premtoi se shteti do të spastrohet nga mbështetësit e klerikut Fetullah Gylen, i cili fajësohet për grushtin e dështuar të shtetit të 15 korrikut. Më shumë se 270 njerëz u vranë në ngjarjet e grushtit të shtetit.

“Është Parlamenti turk që vendos për dënimin me vdekje. Që tani deklaroj se do të miratoj vendimin që do të marrë Parlamenti. Na thonë se në Bashkimin Evropian nuk ka dënim me vdekje. Por vende të tjera në botë si SHBA, Japonia apo Kina e kanë dënimin me vdekje. Ata lejohet që ta kenë. Ne e kemi pasur deri në vitin 1984. Sovraniteti i përket popullit dhe nëse populli e merr këtë vendim, partitë politike do ta mbështesin”, deklaroi Erdogan para turmës që sipas qeverisë ishte rreth 5 milionë njerëz.

Në miting ishin ftuar liderët e dy prej tre partive opozitare në Turqi dhe figura fetare. Partia Kurde nuk ishte ftuar. Herën e parë që Erdogani përmendi dënimin me vdekje, reagimi nga Evropa ishte unanim, se një shtet me dënim kapital nuk ka vend në të. Këtë herë, liderët evropianë nuk kanë reaguar ende, mbase edhe sepse nuk kanë çfarë t’i shtojnë herës së parë.

Top Channel