Meksikë, stuhia tropikale shkakton 38 viktima

08/08/2016 00:00

Rrëshqitjet e dherave dhe përmbytjet e ditëve të fundit e kanë çuar numrin e viktimave në plot 38 të tillë, pasi stuhia tropikale “Earl” goditi rajonet lindore të Meksikës.

Shteti më i goditur ka qenë Puebla, ku zyrtarët thonë se janë shënuar 28 prej viktimave. 10 të tjerë kanë humbur jetën në shtetin e Veracruzit.

Stuhia “Earl” shkaktoi rrëshqitje dherash në Belize gjat javës së kaluar, kur rezultonte të ishte një stuhi e kategorisë së parë, pasi kishte shkatërruar disa rrethina të Karaibeve. Por më vonë niveli i forcës së saj ra dhe konsiderohej thjesht një stuhi tropikale, e megjithatë la jo pak gjurmë shkatërrimi në Meksikë.

Viktimat më të shumtë janë shënuar në rajonin periferik Huauchinango të Pueblas. Ata humbën jetën pasi shtëpitë e tyre u zunë nga dhera të shumtë, baltë dhe copa shkëmbinjsh. Madje në Huauchinango, një pyll i tërë “u shkul” nga baza dhe gjithçka kishte ra mbi fshatin poshtë tij.

“Ajo që i ndodhi popullit tonë në Huauchinango është thjesht një tragjedi”, tha kryebashkiaku Gabriel Alvarado për “Associated Press”. Reshjet e dendura vijuan në rajon, duke detyruar zyrtarët të mbyllin një seksion të autostradës kryesore që lidh rajonin me kryeqytetin Meksiko Siti.

Top Channel