Turqi, pezullohen edhe “gylenistët” e futbollit

02/08/2016 00:00

Federata turke e Futbollit ka bërë të ditur këtë të martë se 94 zyrtarë, përfshirë edhe arbitra, janë pezulluar për shkak të përfshirjes në grushtin e shtetit kundër Presidentit turk Recep Tayyp Erdogan.

“Federata jonë e sheh të nevojshme të pezullojë 94 punonjës të saj, duke përfshirë edhe gjyqtarë e asistentë rajonalë dhe kombëtarë”, shkruhet në komunikatën për shtyp të Federatës turke të Futbollit.

Në të nuk jepen arsyetime apo emra, por e përditshmja turke “Hurriyet” ka deklaruar se bëhet fjalë edhe për një zyrtar të Superligës turke, të cilit gjithashtu nuk ia kanë publikuar emrin.

Skandali i grushtit të shtetit të 15 korrikut, për të cilin akuzohet Fetullah Gulen, ka prekur të gjitha fushat e jetës në Turqi, ndërsa edhe futbolli nuk ka mbetur jashtë, shkruajnë mediet turke.

Edhe anëtarët e komitetit të Federatës turke të Futbollit kanë dhënë dorëheqjen, për t’i hapur udhë hetimeve, të cilat do të vërtetojnë nëse ata kishin apo jo lidhje me lëvizjen gyleniste.

Sulmuesi gjerman i Beshiktashit, Mario Gomez ka bërë të ditur largimin e tij nga klubi për shkak të situatës politike, ndërkohë që presidenti i Federatës turke të Futbollit, Yildirim Demiroren ka siguruar se Superliga dhe ndeshjet ndërkombëtare do të vazhdojnë të zhvillohen sipas programit të parashikuar.

Top Channel