Kinezët shtyjnë blerjen e “Bankers Petroleum”

01/08/2016 00:00

Operacioni financiar për blerjen e kompanisë “Bankers Pertoleum” nga ana e kompanisë kineze “Geo-Jade”, është ngadalësuar nga autoritetet kineze. Sipas një njoftimi zyrtar nga kompania kanadeze, shitja e “Bankers” është shtyrë për në vjeshtë.

Autoritetet kineze nuk kanë miratuar ende marrëveshjen edhe pse 31 korriku ishte afati i mbylljes së operacionit të shitblerjes.
 
“Bankers” njofton se, përfundimi i transaksionit mbetet ende subjekt i miratimit nga Administrata Shtetërore kineze e Këmbimit Valutor dhe se afati i miratimit nga Republika Popullore e Kinës është shtyrë për në 30 shtator 2016.

Nëse autoritetet kineze nuk e miratojnë deri në këtë datë marrëveshjen, “Bankers” ka të drejtë të marrë 20 milionë dollarë si tarifë terminimi nëse kompania kanadeze vendosë të mbylle marrëveshjen si pasojë e mosmiratimit.
 
Ndërkohë, me përfundimin e suksesshëm të transaksionit, aksionet e “Bankers” nuk do të tregtohen më në bursën e Torontos dhe të Londrës.

Marrëveshja parashikon që “Geo-Jade” blen të gjitha aksionet e “Bankers” përmes degëve të saj me një çmim që në total shkon rreth 392 milionë euro.

“Bankers Pertoleum” operon në Shqipëri prej 12 vitesh, duke marrë me koncesion vendburimin më të madh të naftës në vend, atë të Patos Marinzës.

Top Channel