“Armët”e Papës

30/07/2016 00:00

Prej 1 gushtit, për herë të parë në histori, Vatikani do të ketë një femër në drejtimin e Zyrës së Shtypit. Paloma Garcia Ovejero, një gazetare spanjolle, së bashku me Greg Burke, do të marrin drejtimin e Zyrës së Shtypit pas daljes në pension të Padre Lombardit, zëdhënësi i deritanishëm të Vatikanit.

Në një intervistë telefonike për Top Channel, gazetarja 41-vjeçare, rrëfen fjalët që Papa Françesku i ka thënë në takimin e prezantimit.

“Nuk zgjodha dy më të mirët, zgjodha ata të dy që mund ta bëjnë më mirë këtë punë. Nuk e di pse, Papa mendoi që ne mund të kishim “armët” për të bërë këtë betejë”, thotë Paloma Garcia.

Paloma Garcia Ovejero merr këtë post në një moment tejet të rëndësishëm për Shqipërinë, kur vetëm pak javë na ndajnë nga Shenjtërimi i Nënë Terezës. E për këtë, ajo rrëfen edhe një sekret.

“Për Shqipërinë dua t’ju them një sekret. Personi i parë që e mori vesh 4 vite më parë që unë do vija në Romë, duke qenë se unë nuk mund t’i thosha askujt, ishte Nënë Tereza. Ju luta asaj dhe vajta tek Motrat e Nënë Terezës së Kalkutës. Për mua është një shenjë shumë e rëndësishme që 4 vite më pas, detyra ime e parë që do kem, të jetë Shenjtërimi i saj. Jam krenare që jam e lidhur edhe nga pikëpamja e punës me këtë grua, me këtë shenjtore, me Shqipërinë”, shprehet ajo.

Ovejero do të mbajë postin ezëdhënesës së Selisë së Shenjtë dhe e pyetur nëse e sheh këtë ngjarje si një hapje më shumë të kishës ndaj femrave, ajo shprehet se është diçka natyrale, pasi edhe Zoti ka krijuar meshkuj dhe femra.

Top Channel