“Drejtësia”, Minxhozi: Ndërkombëtarët, garanci kyçe

20/07/2016 00:00

Për të folur për epilogun e negociatave dhe debateve në lidhje me reformën në drejtësi, ishte i ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel analisti Skënder Minxhozi. Ai u shpreh se pas arritjes së marrëveshjes të gjithë mund të hynin në atë që quhet “karroja e fitimtarit”.

Minxhozi shprehet se roli i ndërkombëtarëve në këtë reformë nuk është edhe aq rekomandues, por është një rol substancial i tyre.

TCH: Çfarë është në fakt kjo zgjidhje e minutës së fundit?

Skënder Minxhozi: Kjo zgjidhje e minutës së fundit është evitimi i një kolapsi eventual në sallën e Parlamentit ditën e enjte. Sot të gjithë mund të hynin në atë që quhet “karroja e fitimtarit. Është miratimi i një reforme me konsensus të plotë nga të gjitha palët, çka edhe reformën vet e bën më të fortë më të gjithë pranuar dhe ul tensionet, ndërsa fashit edhe fjalët që ishin përhapur për një qeveri teknike. Sot kemi një reformë që e përkrahin të gjitha palët, është një reformë e mirë komplekse, e cila ka përballë sfidën e aplikimit, është një ngrihen e cila ekziston në letër, shumë sfiduese sepse ngre një numër të institucioneve të reja. Parashikon një krehje të të gjithë sistemit nga të korruptuarit, nga personat e papërshtatshëm, nga pastrimi i korrupsionit dhe selektimin e një numri gjyqtarësh dhe prokurorësh të rinj, të cilët do të jenë bartësit e një mesazhi të ri për një Shqipëri të paanshme, të drejtë, të pakorruptuar.

TCH: Sa vendimtar bëhet tani roli i ndërkombëtarëve?

Skënder Minxhozi: Vetengu ka qenë dhe mbetet pika e nxehtë e reformës. Një reformë shqiptare është barazim me një reformë të dështuar. Ndërkombëtarët janë të sanksionuar si referencë në Kushtetutën e Shqipërisë dhe kjo i jep atyre një rol jo formal, fakti që ata figurojnë në ligjin themeltar. Nuk është edhe aq rol rekomandues, siç përpiqen ta quajnë sovranistët, në emër të një sovraniteti që unë e shoh se ka qenë një humbje kohe, të paktën në ndërtimin e sistemit të drejtësisë sepse sovranitetin e përdorëm për të ngritur një drejtësi totalisht të korruptuar. Por është një rol substancial i tyre. Për shembull le të marrim vetëm atë që është komisioni i vetingut, në këtë rol ndërkombëtarët kanë të drejtën e asaj që quhet listë e zezë dhe futja ose jo e një kandidature në listën e zezë, kur kjo listë të shkojë në Parlament dhe të votohet, nëse ti figuron në listën e zezë është shumë e vështirë të kalosh në listën e bardhë. Nëse monitorimi ndërkombëtar të klasifikon si i papërshtatshëm për ty bëhet shumë e vështirë kur ti të shkosh më vonë dhe të votohesh nga parlamentarët shqiptarë nëse je futur më parë në listën e zezë. Që këtu rrjedh ai që quhet rol substancial i ndërkombëtarëve në këtë reformë. Për mua është një garanci e madhe që njerëzit e nesërm që do të futen në sistem të mos jenë si ata të sotmit ose të djeshëm, të cilët sa herë kontrolloheshin dilnin të gjithë të pastër dhe që kur i shihje kishin nga tre katër vila dhe nuk i dihej nga i vinin paratë.

Top Channel