Itali, vdes në burg kreu i “Cosa Nostra”-s, vrasës i Falcone

13/07/2016 00:00

Bernardo Provenzano, i njohur edhe me nofkën “Binnu”, një nga drejtuesit më famëkeqë të organizatës mafioze “Cosa Nostra” gjatë viteve ’50 e në vazhdim, është ndarë nga jeta mëngjesin e së mërkurës në Burgun e Milanos, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Provenzano ishte krahu i djathtë i bosit mafioz “korleonez”, Salvatore Riina, dhe pas arrestimit të tij në vitin 1993, ai mori drejtimin e “Cosa Nostra”-s.

Veç krimeve të shumta të kryera prej tij, apo me urdhër të tij, Provenzano u bë i njohur edhe për faktin se arriti të qëndrojë në arrati për plot 43 vite. I shpallur në kërkim në vitin 1963, ai u arrestua vetëm më 11 prill të vitit 2006, pasi ndaj tij ishin dhënë informacione se gjendej në një banesë në fshatin e tij të lindjes, Korleone.

Mbi të rënduan akuzat e mbi 20 vrasjeve, kryesisht të policëve, gjyqtarëve, por edhe të rivalëve. Por ato më të bujshmet ishin “Masakra e Kapacit” e 23 majit 1992, ku humbi jetën prokurori i Antimafias Giovanni Falcone, si dhe masakra e rrugës “D’Amelio”, ku 27 ditë më pas, po me anë të një shpërthimi të telekomanduar, u vra edhe bashkëpunëtori më i afërt i Falcones, prokurori Paolo Borselino.

Të dy këta i kishin shpallur luftë të hapur mafies, duke zhvilluar edhe procesin më të famshëm gjyqësor ndaj bosëve të “Mafias siçiliane”, të njohur si “Maxi Proceso”, ku të pandehur ishin 470 persona.

Top Channel