Pretendimet detare, Haga vendos kundër Kinës

12/07/2016 00:00

Gjykata e Hagës vendosi kundër pretendimeve të Kinës për të drejtat territoriale në Detin e Kinës Jugore, një çështje e dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare nga Filipinet.

Vendimi pritet që të rrisë edhe më shumë presionin global diplomatik mbi Pekinin që të ndalojë zgjedhimin ushtarak në këtë zonë. Kina pretendon rreth 90% të Detit të Kinës Jugore, një zonë detare që besohet se është shumë e pasur me rezerva nafte dhe gazi dhe ku çdo vit volumi i tregtisë detare është rreth 4,5 trilion dollarë.

Por, Gjykata e Hagës tha se shkëmbinjtë në zonë nuk përcaktojnë status territorial dhe vendosi se pjesa më e madhe e territorit të pretenduar nga Kina janë ujëra ndërkombëtare neutrale.

Kina prej kohësh kishte nisur ndërtimin e ishujve artificialë dhe bazave ushtarake mbi këto shkëmbinj duke pretenduar se ato përcaktonin sovranitet.

Por, gjykata ndërkombëtare në vendimin e saj kritikoi veprimet e Kinës dhe pretendimet e saj. Sipas Hagës, këto ujëra përdoren nga peshkatarë dhe detarë nga shumë vende dhe nuk ka asnjë provë që Kina të ketë ushtruar historikisht kontroll mbi to.

Gjykata e OKB-së tha se ishujt, të cilët janë në qendër të konflikti, nuk përcaktojnë zona detare apo zona ekonomike. Madje, sipas Gjykatës së Hagës, në disa raste, Kina ka shkelur zonat ekonomike detare që i përkasin Filipineve.

Javë para se të merrej vendimi dhe menjëherë pas publikimit të tij, Kina deklaroi se nuk do të pranojë dhe as marrë pjesë në këtë arbitraritet të njëanshëm të ndërmarrë nga Filipinet. Por, Haga tha se refuzimi i Kinës për të marrë pjesë, nuk i heq gjykatës të drejtën e juridiksionit.

Gjithsesi, pavarësisht vendimit të gjykatës dhe presionit të pritshëm më të madh diplomatik mbi Kinën, mbetet pyetja mëse e ligjshme: kush do ta largojë Kinën nga ishujt që pretendon dhe që i ka shndërruar në baza ushtarake?

Top Channel