Australi, kur shqiponja ngatërron prenë e saj

12/07/2016 00:00

Një shqiponjë Aquila është përpjekur të marrë me vete në fluturim një djalosh të vogël të tmerruar, e për më tepër në një prej zonave më të populluara ku po mbahej një shfaqje e botës së egër në Australi.

Një turmë njerëzish të mbetur pa fjalë vijonin të shihnin shpendin gjigant t’i ngulte kthetrat djaloshit që ulëriste, gjatë shfaqjes në parkun “Alice Springs Desert Park”. Dëshmitarët thanë se shqiponja po përpiqej ta ngrinte atë si të ishte ndonjë kafshë e vogël.

Djaloshi, që besohet të jetë mes moshës 6 dhe 8-vjeçare, arriti t’ia mbathte nga kthetrat e shpendit, edhe pse nuk i shpëtoi një gërvishtjeje sipërfaqësore në fytyrën e tij.

Christine O’Connell nga Horshami në shtetin e Victorias ishte duke vizituar parkun me të shoqin e saj më 6 korrik, kur ndodhi edhe sulmi i papritur. Ajo tha për “BBC” se shqiponja kishte fluturuar për rreth 15 metra me synimin e qartë: djaloshin e mitur.

Ajo e ka kapur edhe në kamera ngjarjen e tmerrshme, teksa thotë se djaloshi bëri të pamundurën nga frika për t’iu shpëtuar kthetrave dhe ia doli. Shqiponja, sipas saj, ishte e hutuar nga zhurma dhe u tërhoq nga veshja e gjelbërt e djaloshit, që e bëri atë të përpiqej ta ngrinte në ajër, përpara sesa të ndërhynte edhe stafi i parkut.

Plagët e djaloshit, gjithsesi nuk ishin të rënda, edhe pse ai u pa të qante me të madhe pas shpëtimit.

Top Channel