SHBA, vijojnë protestat kundër dhunës së tepruar policore. Ka edhe dëshmi pro policëve

11/07/2016 00:00

Shetamia Taylor ishte duke u larguar nga tubimi kundër dhunës policore në Dallas, kur dëgjoi një të shtënë. Kishte shkuar atje bashkë me 4 djemtë e saj të moshave nga 12 deri në 18 vjeç.

“Nuk e kuptuam çfarë po ndodhte, – thotë 37-vjeçarja për “Reuters”, – kur pastaj dëgjuam një të shtënë tjetër. Polici përpara meje u shemb përdhè”.

Përpara se të vdiste, ai thirri “ai ka një armë, vrapo, largohu”. Taylor shtyu fëmijët në përpjekje për t’ia mbathur nga andej, kur një plumb e goditi në pulpën e këmbës. Disa efektivë u afruan brenda pak minutash për të kontrolluar nëse kishte të lënduar, e njeri tentoi ta mbronte.

“Ai oficer qëndroi mbi mua dhe djalin tim, që të na mbulonte me trupin e tij. Një tjetër ishte te këmbët dhe një te koka. Qëndruan atje me ne gjatë të gjithë kohës”, tha Shetamia Taylor, e plagosur.

37-vjeçarja, vetëm më vonë do të konfirmonte se fëmijët e saj kishin mbijetuar të gjithë e do të mësonte po kështu se, edhe djalin e madh Kavion e kishin ndihmuar efektivët e policisë që t’i largohej zonës së rrezikut.

Tri ditë pas të shtënave, hetuesit e FBI-së ishin ende në rrugët e qendrës së Dallasit duke mbledhur prova për ngjarjen. Protestat në qytetet e mëdha të vendit, kundër atij që konsiderohet përdorim i tepruar i dhunës nga policia, vazhduan edhe gjatë natës së djeshme.

Njerëzit u ulën në sheshin përpara selisë së Parlamentit shtetëror në Atlanta, e protestën e tyre e përfunduan vetëm mëngjesin e sotëm. Në Los Angeles, tubuesit marshuan pranë Aeroportit “LAX” dhe penguan trafikun në një autostradë aty pranë. Bahraini, ishujt Bahamas dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paralajmëruar qytetarët e tyre të tregohen të kujdesshëm nëse ndodhen në qytetet e prekura nga protestat.

Top Channel