Sekuestro pallateve të drogës, vendim mbi asetet 10 mln euro

08/07/2016 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda njohu me masën “arrest me burg” 7 të dyshuarit si pjesëtarë të një grupi trafiku droge, të arrestuar gjatë një operacioni ndërkombëtar i shtrirë në disa vende.

Tre nga të arrestuarit, Jurgen Molla, Shyqyri Kotorri dhe Anesti Koromani, njëkohësisht biznesmenë, shihen si krerët që financonin trafikun e drogës.

Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se  do të vendosë nën sekuetstro pallatet e ndërtuara nga firma “Molla Shpk” në zonën e Yzberishtit, pronë e 38-vjeçarit.

Sipas burimeve të prokurorisë, për të shmangur një problem social ndaj qytetarëve që kanë blerë apartamente tek kjo firmë po diskutohet mundësia që të vendosen nën sekuestro shumat e paguara nga shtetasit për këto blerje.

Krimet e Rënda shpjegojnë në rrugë jozyrtare se vlera e këtyre aseteve të dyshimta, për të cilat shihet si burim trafiku i drogës, arrin në 10 milionë euro. Ndërkohë, nën hetim pasuror do të vendosen të gjitha pasuritë e të arrestuarve.

Disa anëtarë të këtij grupi, i shtrirë në Turqi, Kosovë, Greqi, Maqedoni dhe Itali janë arrestuar më herët. Ata janë kryesisht transportues të parapaguar nga personazhi kryesor Jurgen Molla.

Prokuroria pohon se nga hetimi i këtij rrjeti, që prej vitit 2015 janë identifikuar tre episode të trafikut të drogës, në të cilin krerët e organizatës pasi kanë kryer takime për ngarkesat e heroines dhe hashashit kanë dërguar si garanci me njerëz të besuar edhe shuma të konsiderueshme prej 230 mijë eurosh.

Top Channel