Britani, gjykata vendos mosekstradimin e Becchettit në Shqipëri

08/07/2016 00:00

Francesco Becchetti, presidenti i kubit londinez të futbollit Leyton Orient dhe pronar i kanalit televiziv “Agon Channel” në Tiranë, nuk do të ekstradohet në Shqipëri, pavarësisht kërkesës së autoriteteve shqiptare që kërkuan një gjë të tillë mbi akuzat për “mashtrim” dhe “pastrim parash”.

Gjykatësja e Gjykates së Ekstradimeve “Westminister” në Londër, Nina Tempia vendosi për pezullimin e çështjes së ekstradimit pas kërkesës së bërë nga avokatët e Becchettit. Zyrtarë të kësaj gjykate i thanë Top Channel në Londër se, kjo çështje tashmë është e mbyllur për këtë nivel gjykate, por prokuroria ka të drejtë ta apelojë vendimin e dhënë dhe ka një afat prej 14 ditësh për të depozituar kërkesën e apelimit.

Nëse apelimi fiton, çështja do të kalojë në Gjykatën e Lartë. Mësohet se avokatët e palës shqiptare në proces kanë informuar se do të apelojnë menjëherë këtë çështje, për të cilën avokatët e biznesmenit italian thonë se është e motivuar politikisht, çfarë hidhet poshtë nga prokuroria britanike që vepron në emër të qeverisë shqiptare.

Top Channel