Muriqan, sekuestrohen 15 kilogramë lëndë narkotike, një i arrestuar

06/07/2016 00:00

Rreth 15 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa është sekuestruar nga efektivët e Policisë Kufitare në Muriqan të Shkodrës në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve, ndërsa është vënë në pranga edhe poseduesi i saj.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se droga është gjetur gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë  në  automjetin tip “Renault” me targa AA 689 JD që drejtohej nga shtetasi Eldi Aldisha , 23 vjeç, banues në Tiranë, i cili është vënë menjëherë në pranga.

Droga, e ndarë në 21 pako të mbështjella me natriban, ishte fshehur në depozitën e gazit të kondicionerit.

Ndërkohë, edhe në pikën kufitare të Qafë Botës në Sarandë është arrestuar një 39-vjeçar për trafik të lëndëve narkotike.

Policia ka bërë të ditur se në pranga është vënë shtetasi Gjergji Duklaska, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Opel Astra” me targë ZAZ2539, me drejtues shtetasin e mësipërm, është konstatuar një sasi me lëndë narkotike prej 2 kg e 200 gr të dyshuar të llojit kanabis sativa.

Lënda narkotike ishte e ndarë në 4 pako, të fshehura në pjesën e poshtme të kroskodit të automjetit, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Top Channel