Trump kufizon numrin e emigrantëve që do të pranohen në SHBA, do t’u japë përparësi… Një person hodhi veten në erë në afërsi të Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në qytetin saudit Jeddah (Xhedah), por ndërhyrja e shpejtë e rojeve të sigurisë ka qenë vendimtare në frenimin e një masakre të mundshme.
Efektivët mbetën të plagosur lehtë pasi tentuan ta ndalonin të riun, ndërsa askush tjetër nuk u lëndua. Sulmi erdhi mëngjesin e ditës që kremton Pavarësinë e Amerikës dhe pak përpara se të falej Namazi i fillimit të agjerimit përpara festës së Bajramit.
Konsullata amerikane në Jeddah është mësyrë nga militantët edhe në vitin 2004, kur prej sulmit të atëhershëm humbën jetën 9 vetë. Departamenti i Shtetit konfirmoi se stafi i misionit të tij diplomatik ishte shëndoshë e mirë.
Rojet e sigurisë nisën të dyshonin për të riun pas lëvizjeve të tij jo normale në parkingun e makinave të spitalit “Dr Suleiman Faqeeh”, i cili ndodhet përballë konsullatës. Në kohën kur ata kanë nisur të lëvizin drejt personit në fjalë, ai shpërtheu eksplozivin që kishte në trup, duke vrarë veten e askënd tjetër.
Menjëherë pas ngjarjes, Ambasada amerikane në Arabinë Saudite lëshoi një paralajmërim, duke u kërkuar të gjithë shtetasve amerikanë në vend të tregoheshin vigjilentë e të merrnin masa shtesë kur të udhëtonin në pjesë të ndryshme të mbretërisë saudite.
Top Channel