Në kërkim edhe pas pafajësisë; policia e arreston si autor të vrasjes

18/06/2016 00:00

Policia e Durrësit njoftoi dhe publikoi pamje te arrestimit të një 22-vjeçari nga Kruja, Bedri Haka të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Leonard Murataj në nëntor të vitit 2014.

Por jo më larg se marsi i këtij viti gjykata e Apelit po në Durrës e ka shpallur të pafajshëm 22-vjeçarin Haka për akuzën e pengimit të zbardhjes së vërtetës, akuzë e cila kishte të bënte pikërisht për këtë ngjarje.

Ndërkohë që policia e Durrësit insiston se Hakën e ka ndaluar në bazë të një mase sigurimi arrest me burg të nëntorit të viti 2014 për vrasjen e Leonard Muratajt, prokurori i rrethit të Durrësit, Agron Gjana, ka pohuar për Top Channel se Bedri Haka ka qenë vërtetë i dyshuar për vrasjen e biznesmenit, dy vite më parë, por jo si autor.

Madje, për akuzën e pengimit të zbardhjes së të vërtetës, Gjykata e Shkallës së Parë e ka gjetur fajtor në mungesë të riun duke e dënuar me 1 vit burgim, pasi kishte dyshime se makina nga ku u qëllua Murataj ishte në pronësi të Bedri Hakës.

Ky vendim u apelua dhe Gjykata e Apelit të Durresit e ka shpallur të pafajshëm Bedri Hakën. Por, mesa duket ky vendim, që merr formën e prerë pasi është dhënë nga Gjykata e Apelit, nuk i është bërë i ditur policisë, në skedarët e të cilës Haka vijon të rezultojë person në kërkim për vrasjen e Leonard Muratajt.

Por, pavarësisht kësaj përplasje ose moskoordinimi mes institucioneve, Bedri Haka mund të mbahet në polici, pasi në momentin e ndalimit ai ka qenë duke lëvizur me makinë me dy persona të tjerë dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për ta ndaluar.  

Top Channel