Lufta e Bandave në Elbasan, valë arrestimesh, sekuestrohet arsenal armësh

09/06/2016 00:00

Pas ngjarjes së mbrëmshme, ku një patrullë policie u qëllua me breshëri armësh nga pjesëtarë të familjes Çapja në Elbasan, gjatë gjithë natës së mbrëmshme policia kreu një valë arrestimesh duke vënë në pranga 8 persona, disa prej protagonistëve të historive më të rënda kriminale të dekadës së fundit në këtë qytet.

Ardjan Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça, i cili mbeti i plagosur në një atentat tre ditë më parë, u arrestuan si të dyshuar se hapën zjarr ndaj patrullës së policisë, e cila ishte në atë zonë pikërisht për të ruajtur familjen Çapja, e përfshirë prej vitesh në një konflikt të përgjakshëm që po trondit qytetin e Elbasanit.

Ata janë tashmë të dyshuar për “Vrasja  në  rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim”  dhe   “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, dhe dosja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Gjithashtu janë arrestuar edhe shtetasit Ambri Sinakoli, Fiqeret  Meçe, Kastriot  Peqini, Serxho  Hakilja dhe Jetmir Shehu,  të cilët akuzohen për pengimin të hetimit.

Pas arrestimit, policia sekuestroi 4 makina, 2  automatikë model 56, katër pistoleta, mbi 900 fishekë, 73  kapsolla detonatore, Radio marrëse – dhënëse, 5 aparate celulari të tipave të ndryshëm dhe 5.000 Euro.

Hasmëritë mes grupeve në këtë qytet kulmuan me masakrën e shkurtit në një lokal në Elbasan, për t’u pasuar nga një seri atentatesh.

Top Channel