Atentat në Elbasan, sërish ndaj Çapjes. Hakmarrja, pas masakrës së shkurtit

06/06/2016 00:00

Një efektive policie dhe një tjetër person kanë mbetur të plagosur me armë zjarri paraditen e kësaj të hëne në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur vetëm 300 metra nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan dhe të plagosur kanë mbetur Bledar Muça dhe Matilda Germezo.

Sipas informacioneve nga policia, autori i krimit ka qëlluar me breshëri automatiku nga mjeti me të cilin udhëtonte, në drejtim të një tjetër mjeti, duke plagosur drejtuesin Bledar Muça dhe efektiven e policisë, e cila ishte kalimtare e rastit.

Burime nga policia bëjnë me dije se, autori e ka ndjekur viktimën dhe ka shtënë në drejtim të tij me automatik në drejtim të pjesës së pasme të makinës, ndërsa plumbi e ka prekur në qafë Bledar Muçën.

Dyshohet se autorët kanë mbikëqyrur vendin e ngjarjes dhe, sapo kanë identifikuar autoambulancat, janë vënë në ndjekje të tyre deri në Spitalin e Elbasanit për të përfunduar krimin. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se, së bashku me Bledar Muçën në makinë ka qenë edhe një tjetër person, i cili dyshohet se është objektivi i vërtetë.

Kjo është hera e dytë, që Bledar Muça plagoset brenda 4 muajve. Ai ishte një nga të plagosurit e masakrës së Elbasanit, ku 3 persona u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën.

Ende nuk dihet për gjendjen e të plagosurve, ndërkohë që policia dyshon se ngjarja ka lidhje me vrasjet e mëparshme të ndodhura në Elbasan.

Krimet e Rënda kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin e autorëve, kapjen e tyre dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes. Njësoj si në rastin e masakrës së 3 shkurtit, vrasësit kanë hedhur automatikun teksa janë larguar nga vendngjarja. Policia gjeti dhe sekuestroi armën vetëm pak metra larg vendit të krimit.

Top Channel