Kolaudimi, më 1 korrik hyjnë normat europiane të ndotjes

01/06/2016 00:00

Nga 1 korriku i këtij viti në Shqipëri do të zbatohen normat europiane të shkarkimit të gazit karbonik nga automjetet. Sipas Ministrisë së Transportit, koefiçentët e shkarkimit të gazrave do të përcaktohen në bazë të vitit të prodhimit, mjetet më të vjetra kanë norma më të larta.

“Normat që kemi ne janë në funksion të vitit të prodhimit. Automjetet e vjetra kanë normë më të madhe përkundrejt normës së automjeteve të reja”, thotë Maksim Tashi, specialist i Ministrisë së Transporteve.

Por ende pa hyrë në fuqi rregullorja e re, gati dhjetë përqind e makinave nuk e kanë kaluar testin e kolaudimit sa i përket normës së ndotjes. Për 4-mujorin e parë në Shqipëri, 9,700 mjete nga rreth 108 mijë nuk e kaluan testin e gazrave.

Ashtu si dhe ndodh aktualisht, mjetet më të rrezikuara janë ato me benzinë, për të cilat në disa raste nevojitet një shërbim special me marmita katalitike për të përballuar testin, por edhe mjetet e vjetra me naftë nuk përjashtohen. Në të dy rastet rekomandohet shërbim përpara futjes në kontrollin teknik.

“Me shërbimet që duhet të bëjnë çdolloj qytetari mjetit të vet, për normat që do të ketë mjeti është i garantuar që do të kalojë këto shërbime”, thotë Tashi.

Nuk ka një përcaktim të qartë se sa ndikon cilësia e karburanteve në mospërmbushjen e normave, por ka ankesa të shumta nga konsumatorët, ndërkohë që në disa raste janë sekuestruar sasi të mëdha karburanti i papërpunuar që tregtohej lirshëm.

Top Channel