Rriten çmimet në Durrës, të huajt blejnë apartamente, për vendasit shtëpia po bëhet e paarritshme

02/05/2026 15:21

Bregdeti po tërheq gjithnjë e më shumë blerës në Gjirin e Durrësit, por ndërsa apartamentet e reja shtohen e bashkë me to dhe çmimet, për familjet shqiptare ëndrra për një shtëpi po bëhet gjithnjë e më e largët.

Për shumë të huaj, vendi ynë po konsiderohet ideal për të jetuar, pas moshës aktive. Ata shohin mundësinë që s’e kanë në vendet e tyre, një jetë komode me kosto të ulët.

“Po marrim në konsideratë të zhvendosemi në Shqipëri, sepse është shumë më lirë krahasuar me Shtetet e Bashkuara. Po shohim disa qytete për të vendosur ku të blejmë një apartament”, shprehet një shtetase amerikane.

Por ndërsa të huajt bëjnë plane, vendasit shohin me shqetësim sesi çmimet rriten çdo ditë. Ajo që për një turist është “rast i mirë”, për durrsakët po kthehet në një luks të paarritshëm.

Sipas agjentëve, tregu vijon të lëvizë shpejt dhe çmimet janë në rritje, ndaj këshillojnë: “Ata që duan të shesin të mos e bëjnë tani dhe ata që duan të blejnë të nxitojnë sepse çmimet janë në rritje.”

Në këtë garë çmimesh dhe ndërtimesh të reja, Durrësi po ndryshon pamje, duke mbetur një udhwkryq mes dëshirës për të investuar dhe pamundësisë për të siguruar një çati mbi kokë.

 

Top Channel