Drenovë, dhunohet dhe grabitet një çift të moshuarish

01/06/2016 10:40

Një çift të moshuarish në fshatin Drenovë janë grabitur në banesën e tyre nga dy persona të maskuar.

Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së mërkurës, rreth orës 07.00, teksa 74-vjeçari Leksi Mihallari së bashku me bashkëshorten ishin në banesën e tyre kur dy persona të maskuar kanë hyrë dhe nën kërcënimin e armëve të ftohta u kanë marrë atyre një shumë lekësh që kishin në banesë dhe bizhuteritë.

Burime të policisë bënë me dije se çifti i bashkëshortëve gjatë grabitjes është dhunuar edhe fizikisht, ndërsa gjatë marrjes së deklarimeve për ngjarjen ata kanë qenë në gjendje shoku. Pas grabitjes, kanë qenë fqinjët ata të cilët teksa kanë dëgjuar britmat e çiftit u kanë shkuar atyre në ndihmë dhe kanë sinjalizuar policinë.

Kjo e fundit nga ana e saj ka nisur hetimet dhe bëhet me dije se janë shoqëruar disa persona, ku nga dyshimet e para mendohet se grabitësit janë nga qyteti i Korçës.

Top Channel