Rama: Nuk po ikin investitorë

24/05/2016 00:00

“Çfarë janë këta që thonë se po ikin investitorët? Kush investitor po ikën? E kam dëgjuar nga përfaqësues të dhomave të huaja të tregtisë. Më thoni një nga investitorët që po ikën nga Shqipëria. Bankersi nuk po ikën, Bankersi po shitet. Do të thotë që po fiton”.

Kryeministri Edi Rama nuk fshehu tonet e ashpra replikuese me zëvendësambasadorin amerikan për deklaratën e tij të një dite më parë. Ose më saktë vetëm me pjesën e parë të saj. Por në takimin me të, pikërisht për klimën e biznesit në vend, nuk u fshehën shqetësimet e biznesit për disa politika fiskale, që sipas tyre kanë sjellë tkurrje të aktivitetit dhe pushime nga puna.

Patrick Paskal, menaxher i Selenica Bitum, tha: “Për shkak të këtij ligji, 80 persona nga kompania ime janë në shtëpi tani. Kemi 6 muaj humbje. Duhet të rrisim importet. Kemi humbur më shumë se 1 milion euro taksa”.

Kryeministri Rama kishte një korrigjim dhe një replikë edhe për këtë: “Patrik, je bërë shumë shqiptar, sepse e dini që ne e kemi zgjidhur këtë dhe në korrik, me paketën fiskale të re, do ta korrigjojmë këtë problem”.

Top Channel