Si shpëtohet ARMO? Gjiknuri: Skemë për ristrukturim. Shteti mund të falë borxhet

20/05/2016 00:00

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri la të hapur mundësinë, që shteti të falë një pjesë të borxheve të ARMO-s. Sipas tij, kjo do të ishte pjesë e një plani ristrukturimi për nxjerrjen e kompanisë nga kriza.

“Ka forma të ndryshme ristrukturimi, si marrje përsipër borxhesh, investim me kapital ekstra, marrja përsipër nga shteti e një pjese të detyrimeve, pra heqja e një pjese të detyrimeve. Janë gjëra që duhen parë dhe që do të kërkonin kohë”, shprehet ministri Gjiknuri.

I pyetur nëse këtu përfshihen edhe kreditë e bankave, ai përgjigjet:

“Këtë nuk mund ta them, pasi ende nuk është maturuar si çështje. Edhe në këtë pozicion që jam nuk mund të jap më tepër informacion. Por një gjë duhet kuptuar, që kemi të bëjmë me falimentimin e një aseti totalisht privat dhe mbi të gjitha i keqshitur e i keqmenaxhuar gjatë qeverisë së Sali Berishës”, deklaroi Gjiknuri.

ARMO është borxhliu i keq më i madh në vend, me rreth 600 milionë dollarë detyrime të pashlyera, pjesa më e madhe e të cilave ndaj Tatimeve, Albpetrolit dhe bankave private.

“Po diskutojmë me bankat që ato, bashkë me investitorë të tjerë të mundshëm, të kenë mundësi të ristrukturojnë pjesën e borxhit dhe të gjejnë një operator të mundshëm, që ta marrë përsipër funksionimin e kësaj kompanie”, tha më tej Gjiknuri.

Për kreu e Energjisë, rishtetëzimi i kompanisë në këtë pikë duket një opsion gati i pamundur.

“Në momentin që do të hynte shteti për rishtetëzim, do të kishim probleme edhe me bankat. Kush do të merrte përsipër borxhet e bankave? Ndërkohë edhe bankat kanë të drejta, kanë siguruar të drejta mbi këto asete, ndaj nuk mund të bëjë shteti rishtetëzim të tyre, teksa janë marrë si kolateral prej bankave”, shtoi ministri Gjiknuri.

Një grup i posaçëm pune ka dërguar në qeveri një dokument konfidencial, i cili përmban opsionet për zgjidhjen e ngërçit të ARMO-s. Por vendimi mbetet delikat, pasi implikon jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe sektorin financiar.

Top Channel