Nishani: Qeveria të dorëzojë pajisjen

17/05/2016 00:00

Presidenti i Republikës deklaron se Qeveria po pengon prokurorinë në hetimin për ekzistencën ose jo të pajisjes së përgjimit, apo nëse ajo është përdorur për të përgjuar nga ana e Ministrisë së Brendshme.

“Qeveria t’i dorëzojë sa më parë autoriteteve të hetimit pajisjen e kërkuar nga organi i Prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm për procesin e hetimit”, thotë Nishani.

Presidenti thotë se marrëveshja me italianët nuk ka lidhje me pajisjen e përgjimit dhe përdorimin e saj.
 
“Qeveria të ndalojë përpjekjet për mashtrimin e opinionit publik në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit me shtetin italian. Presidenti i Republikës dënon dhe distancohet nga tentativa e papërgjegjshme e Qeverisë për të ngatërruar bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë në luftën kundër krimit të organizuar, me veprime ilegale dhe të paligjshme të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri”, thotë ai.

Në fund, reagimi i Nishanit mbyllet me një thirrje drejtuar prokurorit të Përgjithshëm.
 
“Të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të shmangur çdo pengesë që krijohet në hetimin dhe zbulimin e së vërtetës”, thotë kreu i shtetit.

Top Channel