Tahiri: S’ka asnjë pajisje përgjimi

16/05/2016 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri hodhi poshtë pretendimet e opozitës për ekzistencën e një pajisjeje përgjimi në zyrat e Policisë së Shtetit.

“Policia e shtetit nuk ka, nuk ka patur dhe as i lejohet që të ketë në të ardmen një pajisje përgjimi. Në Policinë e Shtetit nuk ka asnjë pajisje përgjimi. Ata që çirren për këtë do të marrin përgjigjie shumë shpejt”, tha Tahiri.

Ministri tha nga Akademia e Policisë se prokuroria ka të gjitha mjetet ligjore për të hetuar këto pretendime dhe i ofroi asaj bashkëpunimin e plotë në hetimin e saj.

Tahiri u shpreh i gatshëm që të paraqitet në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, sapo t’i mbërrijë ftesa për dëgjesë, ndërsa akuzoi opozitën se po sulmon politikisht policinë e shtetit.

“Policia është në vijë të parë të sulmeve të tyre dhe unë këtë e kuptoj. Duan të intimidojnë Policinë e Shtetit, por nuk do ja arrijnë”, tha ai.

Në lidhje me të përfolurën pajisje përgjimi, ministri i Drejtësisë kërkoi që të kihet durim dhe të pritet rezultati i hetimit të prokurorisë.

“Ka një hetim për këtë çështje. Të kemi durim dhe të dalin përfundimet e të dali e vërteta nëse ka një pajisje të tillë. Besoj tek rezultatet e hetimit nga prokuroria, ka një hetim për këtë dhe duhet të kemi durim. Të gjitha të tjerat janë spekulim që nuk e ndihmojnë këtë çështje”, deklaroi Manjani.

Ministri tha se askush nuk duhet t’i trembet hetimit për këtë çështje dhe u bëri thirrje prokurorëve që të hetojnë deri në fund.

“Nga hetimi nuk duhet të ketë frikë askush. Ka përfunduar koha kur qeveria nuk respekton vendimet e prokurorëve. Prokuroria të kryejë verifikimet dhe të marrë në dorëzim dokumentacionin për pajisjen dhe jo të presë letër-përgjigjie sepse në të tilla raste…”, u shpreh ai.

Top Channel