Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, reagoi përmes një deklarate pas intervistës së ministrit të Brendshëm në Top Channel. Ai tha se Saimir Tahiri gënjeu, ndërsa pranoi se pajisja përgjuese nuk është regjistruar askund, pra është e paligjshme.

“Tre herë u pyet sonte në ‘Top Story’, a është e regjistruar, dhe të 3 herët i ra vrimës së vetme të fyellit që ai di, sulmoi opozitën”, thotë Ristani.

Sipas tij, ajo është një pajisje e pa regjistruar dhe vetëm për këtë shkelje të ligjit, pa pritur hetimin e plotë, Tahiri duhet të arrestohej që sonte.

Ndërkohë gjatë ditës, në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, opozita kërkoi që të dëshmojnë ministri Tahiri, kryeprokurori Llalla dhe shefi i shërbimit sekret, por deputetët e Partisë Socialiste thonë se mjaftojnë deklaratat me shkrim të këtyre zyrtarëve.

Më pas, Lulzim Basha akuzoi direkt kryeministrin Rama, por u akuzua mbrapsht prej tij se po kërkon kështu që të bllokojë reformën në drejtësi. Fjalën skandal, e përdori për herë të parë zyrtarisht edhe Lëvizja Socialiste per Integrim.

Top Channel