PD, Noka: Pajisja e përgjimit, krimi i fundit i Tahirit

15/05/2016 12:50

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, “i ka shtuar kartelës së tij kriminale edhe përgjimin e paligjshëm”, duke shtuar se “prej ditësh është konstatuar se Tahiri mban një pajisje të paligjshme përgjimi, që duhet mbajtur vetëm me miratimin dhe autorizimin e Prokurorisë”.

“Për çfarë e përdor Tahiri këtë pajisje? Pse i përgjon telefonatat kur krimi bën kërdinë? Kur baroni i drogës u arratis? Kë përgjon, kur shullazëve i shërben deri në fund? Ai përgjon dhe regjistron telefonatat e rivalëve të bandave të tij; përgjon opozitën; përgjon ambasadorë të rëndësishëm dhe gazetarë të rëndësishëm”, tha Noka në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit.

“Si Zv.Kryetar i Komisionit të Sigurisë i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të reagojë menjëherë, me forcë dhe me energji për të ndalur këtë paligjshmëri kriminale. Prokuroria duhet të hetojë e të hedhe dritë se pse përgjoi dhe kë përgjoi Saimir Tahiri. Ky akt i rëndë kundër ligjit e kushtetutës është qershia mbi tortë e veprimtarisë kriminale të ministrit të brendshëm, i cili duhet të largohet një orë e më parë nga detyra. Kjo është një kërkesë sot e çdo shqiptari që ka parë e ka dëshmuar zhytjen 3 vjecare të Saimir Tahirit nga një krim në tjetrin. Nesër Komisionit të Sigurisë Kombëtare do ti kërkohet zyrtarisht thërritja e Sajmir Tahirit, Haki Çakos si dhe Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të SHISH për të dëshmuar në një seancë dëgjimore të Komisionit të Sigurisë Kombëtare mbi këtë skandal politik që përveç tjerave kompromenton rëndë sigurinë kombëtare dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, shtoi Noka.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe ministri Tahiri në Facebook: “Tanimë, fronti i së keqes ka shkuar përtej opozitës. Faleminderit SHQUP-it që ma kujton, pa kursyer dhe të djelën”.

Top Channel