Reforma në drejtësi, komisioni diskuton për ndryshime Kushtetuese

13/05/2016 00:00

Komisioni për reformën në drejtësi, që diskutoi sot kapitullin për Gjykatën Kushtetuese, bëri përmirësime në disa nene, por nuk bëri asnjë votim. Sepse ky është një kapitull me çështje ende të panegociuara në nivel politik.

Përveç shumicës së cilësuar për zgjedhjen e 9 anëtarëve dhe mënyrës së zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike nuk është dakord as me rolin e Këshillit të Emërimeve në këtë proces. Megjithatë, palët kanë rënë dakord të ecin përpara me çështjet që nuk këkrojnë vendimmarrje politike.

“Ka çështje politike, por kryesorja është mënyra e votimit, me tre të pestat, apo me dy të tretat. Ne e kemi kaluar këtë për në një çast të mëvonshëm”, deklaroi në fund të mbledhjes deputeti i PS, Pandeli Majko.

“Do të kërkohet që të gjenden zgjidhje konsensuale për këto çështje”, tha nga ana tjetër demokrati Oerd Bylykbashi.

Paralelisht me shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese ka nisur edhe procesi i konsultimeve për disa prej ligjeve, që do të kalojnë njëkohësisht me ndryshimet kushtetuese.

Dy prej ligjeve më të rëndësishme të paketës janë ai i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Prokurorët dhe ekspertët kërkuan qartësimin e vartësisë dhe të kompetencave të këtyre dy institucioneve, që jane kyçe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. 

Top Channel