PD: Veliaj e hoqi maskën. Sulme të paprecedenta ndaj institucioneve

13/05/2016 20:20

Kryetari i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli ka akuzuar mbrëmjen e sotme kryebashkiakun Erion Veliaj se ka vijuar “sulmet e paprecedenta” ndaj institucioneve të vendit.

“Maskat sot ranë. Erion Veliaj, kjo vegël e keqpërdorur në duart e Ramës, nuk u kursye sërish për t’u bërë kurban për interesat e Ramës dhe Koço Kokëshimës. Me një rast të paprecedentë, me një sulm të pashembullt në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të tjera në fuqi, vijuan akuzat e paprecedenta, në vend që kryetari i Bashkisë të japë llogari për shkeljet e pafundme ligjore që tashmë ka kryer”, ka deklaruar Olli.

Sipas tij, bëhet fjalë për një sulm frontal ndaj çdo sistemi ende të pavarur e që funksionon në një sistem demokratik.

“Antisistemi, antiligji dhe antishteti sot morën fytyrën dhe fjalët e Erion Velisë. Drejton pyetje pafund dhe rrethon gjykatat njëlloj si në kohën famëkeqe të gjyqeve popullore të komunizmit kundër “tradhëtarëve” të vendit. Madje, shpall edhe tradhëtarët duke filluar nga gjyqtarët e deri tek presidenti I Republikës”, ka vijuar Olli.

Por kjo, sipas tij, është e kuptueshme përse Veliaj e bën. “E para është urdhëri politik që ka marrë nga shefi i tij, Rama, duke minuar në sytë e gjithë publikut maskën dhe elementët e reformës së famshme për drejtësi dhe mendojnë se kjo duhet të jetë mënyra se si do të vendosin drejtësinë”, ka thënë Olli.

“Pjesa tjetër, që është edhe më e rënda, është që pas këtij sulmi fshihet përpjekja e Veliaj për të mbuluar gjurmët e abuzimeve dhe krimeve pafund që ka kryer në Bashkinë e Tiranës”, ka shtuar kryekëshilltari demokrat.

Top Channel