Opozita: Në zgjedhjet e ardhshme, votim dhe numërim elektronik

13/05/2016 18:05

Koalicioni i partive të djathta, i mbledhur pasditen e kësaj të premteje, është shprehur njëzëri pro votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në përfundim të takimit, nënkryetari i PD, Edmond Spaho ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka sqaruar qëndrimin e unifikuar të opozitës.

“Në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta që po bëjmë për hartimin e një platforme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tryeza e koalicionit të partive të djathta sot diskutoi rreth sistemit të votimit dhe numërimit dhe arritëm në konkluzionin e përbashkët për të mbështetur praktikën e votimit dhe numërimit elektronik, votimin biometrik dhe numërimin elektronik”, ka deklaruar Spaho.

Ai ka bërë të ditur se në tryezat e ardhshme të koalicionit do të vazhdohet me çështje të tjera të cilat përfshijnë sistemin zgjedhor, financimin e partive politike, marrëdhëniet me mediat, depolitizimin e mëtejshëm të sistemit zgjedhor dhe të tjera të cilat janë me interes për të gjithë partitë pjesëmarrëse në këtë koalicion.

Top Channel