Koço Kokëdhima u përgjigjet akuzave të ish-kryeministrit Berisha, për lidhje me të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit”. “Kjo përbën shpifjen e Saliut nr. 1004”, thotë ish-deputeti socialist. Ai shton se “kurrë nuk e ka njohur Klement Balilin, nuk e ka takuar, apo biseduar me këtë njeri”.

“Jemi parë me të vetëm në inaugurimin e Hotelit tek ish-Kampi i Punëtorëve në Sarandë”, thotë Kokedhima. Ish-deputeti u akuzua se e kishte bërë ai emërimin e Balilit si drejtor i Transporteve në Sarandë, por këtë gjë ai e mohon, duke thënë se emërimi është propozuar dhe vendosur nga LSI.

“Balilajt, thotë Kokëdhima, nuk e kanë mbështetur Partinë Socialiste as financiarisht, as materialisht dhe në asnjë formë tjetër”, thotë ai. Ai shton se nga Balilajt, njeh prej një viti Rigels Balilin, i cili u vendos nga LSI si kandidaturë për kryetar të Bashkisë së Delvinës dhe se ka takuar 3-4 herë edhe Bako Balilin, koordinatorin e LSI për rrethin e Delvinës, kryesisht gjatë fushatës elektorale të 2015.

“Përpara vitit 2013, Balilajt nuk kanë qenë kurrë me Partinë Socialiste. Ata kanë qenë mbështetës të shpallur të Partisë Demokratike të Sali Berishës,” shkruan Kokëdhima në faqen e tij në “Facebook”.

Ndërkohë, Ylli Manjani, sqaroi se kryebashkiaku i Delvinës, mbështetur nga LSI, është nipi i Klement Balilit dhe se LSI, nuk i jep imunitet askujt që shkel ligjin.

Top Channel