Video-skandali, reagon PD: Dëshmi se ku është zhytur shteti i Edi Ramës

12/05/2016 00:00

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me video-skandalin ku u përfshi kreu i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili.

Sipas PD-së, pamjet e publikuara ku Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili kërkon favore seksuale në këmbim të një vendi pune janë një dëshmi më shumë se ku është zhytur shteti i Edi Ramës.

“Shtet i trafikantëve të drogës dhe prostitucionit, falsifikatorëve, gjobëvënësve, kriminelëve e tashmë dhe funksionare publikë që shfrytëzojnë mjerimin e grave dhe vajzave ku i ka zhytur kjo qeveri për t’u kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD-së.

Deklarata e Partisë Demokratike shkon edhe më tej ku thuhet se rasti i kryebashkiakut të Peshkopisë nuk është i vetmi, por pason atë të Sekretarit të Koço Kokëdhimës, Agron Cane në Sarandë, të shefit të policisë së Velipojës, Ernest Paluku dhe të Luiza Tabakut në Lushnjë, ç’ka tregon se çfarë kriteresh ka kjo mazhorancë për të ofruar vende pune.
 
Në fund, Partia Demokratike kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë dhe i bën thirrje Prokurorisë  të nisë menjëherë hetimin për këtë ngjarje.

Top Channel