Rama mbron Veliajn: Protesta ndaj gjykatave, normale

12/05/2016 00:00

Përmes dy postimeve të njëpasnjëshme, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur protestën e Bashkisë së Tiranës përpara Gjykatës Administrative, duke e cilësuar atë krejtësisht normale në një vend demokratik.

“Pengmarrësit e drejtësisë dhe të Reformës në Drejtësi na janë zemëruar nga protesta e bashkise përpara gjykatës se na qënka një hata e paparë! Dikush t’u tregojë shejtan-budallenjve ndonjë pamje nga manifestimet e panumërta të guvernatorëve e të bashkiakëve para gjykatave amerikane”, shkruan Rama.

Më herët, gjatë punimeve në seancë plenare, ish-kryeministri Sali Berisha tha se i ka kërkuar Partisë Demokratike që të kërkojë shkarkimin e Erjon Veliajt, pasi sipas tij, u ka bërë presion gjyqtarëve me protestën e së mërkurës.

Kryebashkiaku Veliaj protestoi për të kërkuar ndryshimin e trupës gjyqësore, pasi sipas kryetarit Veliaj, në përbërje të tij ka të afërm të ndërtuesve që po investojnë në këtë projekt. Por gjykata ka refuzuar kërkesën.

“Janë gjyqtarë, të cilët sapo janë caktuar nga Presidenti i Republikës posaçërisht për këtë gjyq, në këtë trupë që është e blinduar me familjarët e tyre. Një gjyqtare, në një fshehtësi kriminale, ka marrë një vendim për të rrëzuar kërkesën tonë për ndërrimin e trupës gjykuese”, tha Veliaj.

Top Channel