PD: Tahiri po mbron “baronin” e drogës

12/05/2016 09:40

Partia Demokratike, me anë të një deklarate për mediat, thotë se ministri Saimir Tahiri po mbron të shpallurin në kërkim ndërkombëtar për narkotrafik, Klement Balilaj.

“Rënia e shtetit ligjor në Shqipëri dhe triumfi i mafias me mbështetje qeveritare është sot kryelajmi i CNN dhe mediave të tjera rajonale dhe botërore. Prej më shumë se 24 orësh, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar Klement Balilaj për narkotrafik nuk arrestohet, por i bën karshillëk ligjit nga zyrat shtetërore të Drejtorisë së Transporteve në Sarandë. Nëse Klement Balilaj nuk do të kishte mbrojtjen e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe shefit të tij Edi Rama, a mund të ndodhte kjo? Sipas CNN, policisë greke, vetë policia shqiptare i është justifikuar se “në Shqipëri nuk mund ta prekim sepse ky person ka lidhje me politikanë të nivelit të lartë”. Saimir Tahiri duhet të largohet një orë e më parë dhe të vihet para drejtësisë si garantuesi dhe mbrojtësi i bandave të trafikut ndërkombëtar të drogës, gjobvenësve, kriminelëve dhe njeriu që ka kriminalizuar Policinë e Shtetit”, lexohet në deklaratën e PD-së.

Top Channel