Meta, takime në Uashington: Përpjekje serioze për reformën në drejtësi

12/05/2016 12:55

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Uashington DC në Kongresin Amerikan. Ai zhvilloi një takim kokë më kokë me kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave, Pete Sessions dhe kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare Michael McCaul.

Në fjalën e tij, Meta garantoi kongresmenët për përpjekjet që reforma në drejtësi të realizohet me sukses, duke e konsideruar atë si kyçe për të ardhmen e vendit.

Nga ana e tyre, Sessions dhe McCaul vlerësuan përpjekjet e deritanishme në këtë drejtim, duke shprehur interesin e SHBA për avancimin e reformës.

“SHBA janë të interesuara për avancimin e reformës në drejtësi. Ato kanë nevojë për një Shqipëri të fortë dhe një rajon të stabilizuar, ndaj do t’ju mbështesim në përpjekjet tuaja për progres”, citohen të kenë thënë kongresmenët.

Meta dhe zyrtarët amerikanë diskutuan edhe mbi çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimin në këtë drejtim mes dy vendeve. Meta u shpreh pro përforcimit të përpjekjeve kundër terrorizmit, ndërsa për krizën e refugjatëve tha se, ato duhen parandaluar përpara se të përhapen.

Gjithashtu, gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe situatës në Lindjen e Mesme.

Top Channel