Berisha: Kjo qeveri, organizata më e rrezikshme kriminale; akuza Ramës

12/05/2016 00:00

Ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën në Parlament, e ka cilësuar qeverinë Rama si organizatën kriminale më të rrezikshme në rajon e më gjerë.

Ai ka bërë përgjegjës vetë kryeministrin, si drejtues të kësaj organizate, duke e lidhur atë me grupin e drogës të shkatërruar në ditët e fundit nga policia greke.

“Kreu i Meduzës nuk pati kurajo të qëndronte dhe të dëgjonte përgjigjet ndaj problemeve që ngriti dhe akuzave që adresoi. Unë kisha një fjalë për Edscobarin, e ka këtë etiketim për Ballkanin, por do ta ketë për të gjithë Europën”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, “ky është shembulli i organizatës kriminale, i qeverisë kriminale më të rrezikshme të planetit”.

“Numri i shqiptarëve që ju shohin juve si organizatë kriminale është me qindra e me mijëra. Por shqiptarët do të çlirohen nga kjo organizatë kriminale”, ka thënë Berisha.

Më tej ish-kryeministri ka akuzuar ish-deputetin Koço Kokëdhima për lidhje me Klemend Balilaj, i konsideruar nga policia greke si “baroni i drogës”.

Edi Rama kishte ikur kur Berisha ka ngritur një akuzë tjetër ndaj tij. “Ka 137 orë biseda me Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Koços”, ka thënë Berisha, i cili i ka bërë thirrje prokurorisë që të marrë nën kontroll tabulatët e kryeministrit dhe bashkëpunëtoreve të tij.

Më tej ai i ka këkruar Partisë Demokratike që të kërkojë shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, sepse u ka bërë presion gjyqtarëve me protestën e djeshme.

Top Channel