Zgjerohet PAA e Dukës, shkrihet partia e drejtuar nga Arben Tafaj

11/05/2016 00:00

Partia Lëvizja Demokratike për Vlera, Mirëqenie, Progres e drejtuar nga Arben Tafaj nuk do të ekzistojë më. Forca politike që doli në skenë para zgjedhjeve të fundit vendore është bashkuar me Partinë Agrare Ambientaliste, të drejtuar nga Agron Duka. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Duka u shpreh se vendi ka nevojë për një forcë të re politike.

“Dua të theksoj se ky nuk është një bashkim mekanik njerëzish, por një shkrirje organike i dy formacioneve të pjekura politike. Nuk është vendi dhe as koha sot për të bërë një analizë të gjatë e të thellë politike, por besoj që të gjithë jemi dakord se, tregu politik është i etur për një forcë të re politike, me program të qartë e alternativa realiste”, tha Agron Duka, kryetar i PAA-së.

Nevojë për lëvizje politike të re e cilësoi dhe Arben Tafaj, i cili do të mbajë postin e nënkryetarit të Partisë Agrare Ambientaliste.

“Me këtë veprim politik, së bashku synojmë rritjen e peshës specifike në skenën politike shqiptare, sinkronizimin e zërit opozitar dhe aksionit politik, me synim ndërtimin e një politike të re, efektive dhe të lidhur ngushtë me votuesin, sa në qytet, aq edhe në fshat”, tha Tafaj.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Arben Tafaj kandidoi për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ku arriti të siguronte rreth 2.000 vota.

Top Channel