Shqipëria prezanton në OBT reformat ekonomike e tregtare

11/05/2016 19:05

Në emër të qeverisë shqiptare, zëvendësministri i Ekonomisë, Ervin Mete prezantoi këtë të mërkurë në Organizatën Botërore të Tregtisë në Gjenevë reformat ekonomike e tregtare për periudhën 2010-2015.

Sipas një njoftimi për shtyp, raporti i qeverisë shqiptare dhe zhvillimet në vend u konsideruan të suksesshme dhe në drejtimin e duhur për rritjen ekonomike të qëndrueshme nga të pranishmit.

“Anëtarët e OBT-së, ndër të cilët Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Turqia, Kina, Brazili, Mali i Zi, Moldavia etj, vlerësuan reformat e ndërmarra për rimëkëmbjen ekonomike, investimet e huaja, investimet në infrastrukturë, lehtësirat tregtare dhe doganore, etj”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Konkretisht, përfaqësuesit e vendeve anëtare përgëzuan Shqipërinë për qasjen e re të konsultimit me biznesin, duke inkurajuar konsolidim të mëtejshëm në këtë bashkëpunim.

Gjithashtu, anëtarësimi në BE u vlerësua si një nga shtysat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe tregtar. Shqipëria mori gjithashtu mbështetjen dhe përgëzimet e të gjitha vendeve anëtare për vijimin e konsolidimit ekononomik të vendit, vijon njoftimi.

Top Channel