Reforma në drejtësi, Basha: Rëndësi ka produkti, jo koha

11/05/2016 12:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat me ambasadorin amerikan Donald Lu dhe atë të BE-së Romana Vlahutin, se, “reforma në drejtësi ka zgjatur e mund të zgjasë, pasi rëndësi ka produkti dhe jo koha”.

“Partia Demokratike është mbështetësja më e qartë dhe më e vendosur e reformës në drejtësi. Kushti i vetëm i PD-së është moskapja politike e drejtësisë. Kemi mirëkuptimin e plotë të tejkalimit të rezistencës së pushtetit që mbron korrupsionin”, tha Basha para mediave.

Kreu demokrat shtoi: “Reforma nuk është letra, por zbatimi i saj përballë oligarkisë që sot i ka vënë vetes një damkë të rëndë. Ndaj dhe ka zgjatur e mund të zgjasë, pasi rëndësi ka produkti dhe jo koha. Nuk vendos për kohën PD-ja, të shikojmë se çfarë do të bëjë pala e nervozëve. Një produkt skarco nuk të bën punë, pasi ata që gjykojnë, shohin produktin dhe jo afatin”.

Basha theksoi se “ambasadorët e gjetën dhe e lanë PD-në aspak nervoze për reformën”.

“Nervoziteti është te Edi Rama, i cili i bëri presion Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Lulzim Basha.

Top Channel