Ambasadorët, me PD-në: Kemi rënë dakord për të bashkëpunuar

11/05/2016 00:00

Takimi i ambasadorëve me deputetët demokratë ishte një bashkëbisedim dyorësh, ku secila palë sqaroi pozicionin e vet për Reformën në Drejtësi.

“Në 25 vitet e shkuara, ne kemi punuar së bashku për të arritur gjëra të mëdha, fundin e komunizmit, fitoren e luftës në Kosovë dhe anëtarësimin në NATO. Partia Demokratike ka luajtur një rol vendimtar në historinë postkomuniste të Shqipërisë dhe është e rëndësishme që kjo traditë të vazhdojë edhe në kontekstin e Reformës në Drejtësi”, tha ambasadori amerikan, Donald Lu.

“Ishte një diskutim shumë i dobishëm, shumë i mirë dhe konstruktiv. Mendoj se kemi sqaruar disa çështje që më parë nuk ishin të qarta, por më e rëndësishmja është që kemi rënë dakord se jemi partnerë dhe aleatë për të mirën e Shqipërisë”, tha ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.

Nga demokratët është dëgjuar gatishmëria për të bërë reformën, por ndryshe nga dy ditë më parë, kreu i opozitës nuk e përmendi reformën zgjedhore si kusht për atë të drejtësisë.

“Kushti i vetëm i PD-së gjatë këtij procesi ka qenë, është dhe do të mbetet deri në realizimin e tij me sukses, siç kemi besim të plotë që do të ndodhë, moskapja politike e drejtësisë”, tha Basha.

Disa burime konfirmojnë për Top Channel se, ambasadori amerikan u ka thënë deputetëve demokratë se, nga reforma nuk duhet të ndihen nervozë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe ministrat dhe ata që do të vijnë pas tyre. Një fjali, që më pas Lulzim Basha e adoptoi si të tijën dhe e përdori fjalën “nervoz” disa herë në pak minuta.

“Sigurisht që ka një problem nervoziteti, që dje mori formën e tij të plotë me kërcënimin që Edi Rama i bëri Gjykatës Kushtetuese. Kush pretendon se kjo nuk ekziston është naiv, por te PD erdhën dhe u larguan ambasadorët duke gjetur e duke lënë një parti aspak nervoze për reformën në drejtësi. Nervoz është Edi Rama”, tha Basha.

Kur do të votohet reforma? Kjo pyetje ende nuk ka një përgjigje përfundimtare.

“Është e vështirë ndaj dhe ka zgjatur dhe mund të zgjasë. Në fund të fundit rëndësi ka produkti dhe jo koha, rëndësi ka standardi europian, nga i cili Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk tërhiqemi dhe nuk bëjmë asnjë kompromis”, përfundoi Basha.

Top Channel