PD: Tahiri foli me Shullazin para ndalimit të tij

10/05/2016 00:00

Partia Demokratike u është rikthyer akuzave të saj për lidhje të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me Emiljano Shullazin.

Opozita thotë se ka informacione se ministri i Brendshëm ka folur në telefon me Shullazin para arrestimit të tij, ku e ka garantuar se vetëm do të shoqërohej e më pas do të lihej i lirë.

“Pakti u prish, sepse prokuroria urdhëroi arrestimin për akuzat e gjobvënies e kanosjes, pas punës disa mujore që kishte bërë për sigurimin e provave, sigurisht pa dijeninë e Tahirit. Burime serioze, oficerë që janë në dijeni dhe që kanë qenë prezentë në aksion, dëshmojnë se Sajmir Tahiri ka folur me Emiliano Shullazin përmes telefonit të nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Ermal Muça. Ky funksionar i policisë rezulton të jetë një nga personat e besuar për shumë paligjshmëri e trafiqe që bëhen me dijeninë dhe bekimin e Tahirit”, deklaroi kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj thotë se nëndrejtori i Policisë së Tiranës del edhe tek vrasja e Çiços.

“Nëse prokuroria merr pamjet e dy muajve të fundit të lokalit ku ndodhi ekzekutimi i Elton Çiços, do të shohë se pothuajse çdo natë Ermal Muça dhe Qebini i doganave ishin në shoqërinë e viktimës. Dhe të gjitha këto lidhje përfshijnë Shullazin e të çojnë tek Tahiri. Është kjo arsyeja pse arma dhe telefoni i viktimës u morën natën e krimit. Sepse arma dhe sidomos telefoni zbulojnë lidhjet me krerët e policisë dhe janë provë e dëshmi e trafiqeve të drogës”, tha ai.

Top Channel