Votimi i reformës, Vlahutin dhe Lu: Hap i mirë për ta çuar deri në fund

09/05/2016 00:00

Ambasadorja Romana Vlahutin përshëndeti atë që e quajti miratim në parim të reformës në Drejtësi. Gjatë ditës së Europës në Shkodër, Vlahutin ritheksoi se reforma është një mundësi që Shqipëria nuk duhet ta humbasë.

“Në Ditën e Europës dua të përsëris atë që ne e kemi thënë tashmë. Fatkeqësisht, Shqipëria në historinë e saj, që nuk ka qenë në fakt edhe zgjedhja e vetë, ka humbur shumë kohë dhe shumë mundësi. Ne tani jemi shumë afër një mundësie që Shqipëria nuk duhet ta humbasë. Ju e dini që ka patur një mbledhje të komisionit për reformën dhe partitë kanë votuar në parim në mbeshtetje të draftit. Kështu që jam e lumtur”, tha Vlahutin.

Për ambasadoren, kjo është një lëvizje e mirë, por gjërat nuk kanë përfunduar ende.

“Megjithatë, kjo është shumë e rëndësishme sepse është një moment për Shqipërinë, në mënyrë që në fund të këtij viti ne të krijojmë mundësinë që Komisioni Europian të japë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave. Por duhet shumë punë, sepse nëse reforma bëhet plotësisht, atëherë ne duhet të shikojmë edhe elementët e parë të zbatimit të duhur të saj. Por, sinqerisht, kjo do të jetë pika e kthimit”, tha Vlahutin.

Votimi në parim i reformës në drejtësi është përshëndetur dhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila e përkthen atë në një shpresë për popullin shqiptar se politika është e përkushtuar në miratimin e reformës.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi për të pranuar në parim draftin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese, të përgatitur sipas rekomandimeve të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme. Mbështetja unanime është e pazakontë në Shqipëri dhe ne e përgëzojmë Komisionin e Posaçëm për këtë hap të rëndësishëm përpara në reformën në drejtësi”, thuhet në deklaratën e ambasadasës së SHBA-së.

Top Channel